Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC) i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) mbanë mbledhjen e 52-të


 

 

Sot më datë 28.07.2017 është mbajtur mbledhja e 52-të e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) së Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA). Në këtë mbledhje u diskutuan pika të ndryshme të rendit të ditës përfshirë shqyrtimi i raporteve të vlerësimit nga ekspertët ndërkombëtarë të akreditimit për ri/akreditimin e programeve të studimit në Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL), trajtimi i kërkesave për rishqyrtimin e vendimeve të KSHC-së për programet e pezulluara nga mbledhja e kaluar e KSHC-së, trajtimi i vendimeve të shtyra nga mbledhja e kaluar e KSHC-së, shqyrtimi dhe analizimi i listave të stafit akademik për programet veçse të akredituara të institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë, etj. 

Në lidhje me vendimet për programet e studimit dhe IAL-të që kanë qenë në proces të ri/akreditimit, përfshirë vendimet e shtyra nga mbledhja e kaluar, në përputhje me rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtarë të akreditimit dhe sqarimet e dhëna nga IAL-të aty ku ka qenë e nevojshme, KSHC mori vendim për ri/ akreditimin e 13 programeve të studimit dhe zgjatjen e periudhës së akreditimit për 9 programe të studimit. Ndërsa në përputhje me raportet e ekspertëve ndërkombëtar KSHC mori vendim për refuzimin e 3 programeve të studimit. 

Për të parë vendimet e KSHC-së për ri/akreditimin e programeve të studimit për IAL-të ju lutem klikoni këtu. 

 

Në lidhje me trajtimin e kërkesave për rishqyrtimin e vendimeve të KSHC-së për pezullimin e programeve të studimit nga mbledhja e kaluar, KSHC i AKA ka shqyrtuar gjitha kërkesat për rishqyrtim të vendimeve për pezullim të programeve studimore të dorëzuara nga IAL-të, së bashku me dokumentacionin plotësues lidhur me angazhimin e stafit akademik. Në bazë të kërkesave dhe dokumentacionit plotësues të paraqitur nga IAL-të, KSHC ka marrë vendim për largimin e masës së pezullimit për 46 programe. 

Në lidhje me angazhimin e stafit akademik për programet veçse të akredituara të institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë, KSHC i AKA-së edhe në këtë mbledhje ka analizuar gjendjen e stafit akademik të secilit institucion të arsimit të lartë. Edhe pse në mbledhjen e kaluar të KSHC-së të mbajtur në qershor disa programe nuk janë suspenduar, AKA ka vërejtur lëvizje të stafit akademik dhe si pasojë ka konstatuar se disa programe nuk kanë arritur të mbajnë kriterin e kërkuar për stafin akademik sipas UA-së për Akreditim. Rrjedhimisht, edhe kësaj radhe në mungesë të plotësimit të kritereve sipas legjislacionit në fuqi KSHC i AKA ka marrë vendim për pezullimin e akreditimit të gjithsejtë 9 programeve të studimit të ofruara prej institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë, kështu numri i gjithmbarshëm i programeve të pezulluara deri më tani është 119. 

Për të parë të gjitha vendimet e KSHC-së për pezullimin e akreditimit të programeve të studimit të cilat kanë mungesë të stafit akademik sipas legjislacionit në fuqi, ju lutem klikoni këtu

 

AKA përsëri njofton publikun se pezullimi i akreditimit të këtyre programeve të studimit nënkupton që këto institucione nuk do të kenë të drejtë të regjistrojnë studentë të rinj për vitin e ardhshëm akademik 2017/18, deri në një vendim tjetër të KSHC-së së AKA-së. Studentët e regjistruar në këto programe të studimit në vitet e mëhershme akademike, tani më të pezulluara, do të vazhdojnë me studimet e tyre në përputhje me statutin e institucionit si dhe dispozitat ligjore në fuqi.

Po ashtu AKA njofton publikun se sipas Ligjit mbi Procedurën e Përgjithshme Administrative, kundër këtyre vendimeve, çdo palë e pakënaqur mund të paraqet ankesë sipas nenit 131, të Ligjit mbi Procedurën e Përgjithshme Administrative nr. 05/L-31. Ankesat e pranuara nga IAL do të shqyrtohen sipas afatit ligjor dhe në rast të plotësimit të kritereve të kërkuara me UA, KSHC do të rishqyrtojë vendimet e saj.  

Me qëllim të lehtësimit të qasjes së studentëve, prindërve dhe opinionit publik, në informacionet për institucionet e arsimit të lartë dhe programeve të studimit të cilat kanë akreditim valid dhe mund të regjistrojnë studentë të rinj në vitin akademik 2017/18, AKA ka aktualizuar listën e cila përfshin të gjitha programet e studimit valide.

Për të parë listën e aktualizuar të programeve të studimit valide në të cilat studentët mund të regjistrohen për vitin akademik 2017/18 ju lutem klikoni këtu.

 

Pa paragjykuar asnjë nga institucionet e arsimit të lartë dhe angazhimin e tyre për plotësimin e kritereve të cilësisë të përcaktuara me UA për Akreditim, KSHC i AKA shpreh shqetësimin e thellë lidhur me deklarimin e angazhimit në IAL të stafit akademik të cilët nuk janë shtetas të Kosovës dhe të cilët vijnë nga vendet fqinje. Për më tepër, KSHC i AKA-së shpreh shqetësimin e thellë lidhur me ofrimin e dëshmive nga ky staf akademik për mos-angazhimin e tyre në marrëdhënie pune në vendet e tyre të origjinës, kur dihet se pas një verifikimi të thjeshtë në Internet ata paraqiten të angazhuar në institucione të arsimit të lartë dhe vende tjera pune në vendin e tyre të origjinës.

Rrjedhimisht, KSHC i AKA-së në këtë mbledhje ka autorizuar zyrën e AKA-së që të bëjë verifikim të dyfishtë të stafit akademik të cilët nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës në lidhje me angazhimin e tyre të vërtetë në Kosovë. Verifikimi i këtyre listave të stafit akademik nga zyra e AKA-së do të trajtohet në mbledhjen e radhës së KSHC-së në muajin shtator dhe për gjithë ata persona të cilët pavarësisht dorëzimit të dokumentit zyrtar (në mbledhjet e muajit qershor dhe korrik) se nuk janë të punësuar në shtetin e tyre të origjinës, mirëpo të njëjtit figurojnë të rregullt në universitetet e shtetit të tyre të origjinës, KSHC i AKA-së do të procedojë secilin rast sipas dispozitave ligjore në fuqi.  

 

Home Ngjarjet KSHC i AKA-së mban mbledhjen e 52-të