U mbajt mbledhja e 51-të e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) së Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA)


 

 

Sot më datë 23.06.2017 është mbajtur mbledhja e 51-të e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) së Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA). Në këtë mbledhje u diskutuan pika të ndryshme të rendit të ditës përfshirë shqyrtimi i raporteve të vlerësimit nga ekspertët ndërkombëtarë të akreditimit për ri/akreditimin institucional dhe programeve të studimit në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë, shqyrtimi dhe analizimi i listave të stafit akademik për programet veçse të akredituara të institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë, si dhe tema të tjera të rëndësishme për standardet dhe kriteret e vlerësimit dhe akreditimit.

Në lidhje me vendimet për ri/ akreditimin institucional dhe të programeve të studimit, KSHC mori vendim për ri/ akreditimin e gjithsejtë 5 institucioneve të arsimit të lartë në nivelin institucional dhe ri/ akreditimin e 58 programeve të studimit. KSHC në përputhje me rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtarë mori vendim për refuzimin e akreditimit të 2 institucioneve private të arsimit të lartë në nivelin institucional dhe refuzimin e ri/ akreditimit të 24 programeve të studimit.

Për të parë vendimet e KSHC-së për ri/akreditimin institucional dhe programeve të studimit për IAL-të ju lutem klikoni këtu.

Në lidhje me angazhimin e stafit akademik për programet veçse të akredituara të institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë, KSHC i AKA-së ka analizuar gjendjen e stafit akademik të secilit institucion të arsimit të lartë dhe në mungesë të plotësimit të kritereve sipas legjislacionit në fuqi ka marrë vendim për pezullimin e akreditimit të gjithsejtë 131 programeve të studimit të ofruar prej institucionet publike dhe private të arsimit të lartë. Pezullimi i akreditimit të këtyre programeve të studimit nënkupton që këto institucione nuk do të kenë të drejtë të regjistrojnë studentë të rinj për vitin e ardhshëm akademik 2017/18, deri në një vendim tjetër të KSHC-së së AKA-së. Studentët e regjistruar në këto programe të studimit në vitet e mëhershme akademike, tani më të pezulluara, do të vazhdojnë me studimet e tyre në përputhje me statutin e institucionit si dhe dispozitat ligjore në fuqi.

Për të parë vendimet e KSHC-së për pezullimin e akreditimit të programeve të studimit të cilat kanë mangësi të stafit akademik sipas legjislacionit në fuqi, ju lutem klikoni këtu.

Me qëllim të lehtësimit të qasjes së studentëve, prindërve dhe opinionit publik, në informacionet për institucionet e arsimit të lartë dhe programeve të studimit të cilat kanë akreditim valid dhe mund të regjistrojnë studentë të rinj në vitin akademik 2017/18, AKA ka përgatitur një listë e cila përfshin të gjitha programet e studimit.

Për të parë listën e programeve të studimit valide në të cilat studentët mund të regjistrohen për vitin akademik 2017/18 ju lutem klikoni këtu.

 

 

 

 

Home Ngjarjet KSHC i AKA-së mban mbledhjen e 51-të