AKA nënshkruan marrëveshje me projektin HERAS 


  

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) dhe projekti “HERAS” (Higher Education, Research and Applied Science) kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për mbështetjen e AKA-së për përmbushjen e rekomandimeve të Rrjetit të Agjencive Evropiane për Sigurimin e Cilësisë (ENQA) anëtare e së cilës është AKA.

HERAS do të mbështes AKA-në në këtë proces përmes ofrimit të këshillave dhe ekspertëve për AKA-në për zbatimin e rekomandimeve të ENQA-s si dhe për përshtatjen e udhëzuesve të rinj të AKA-së në përputhje me standardet dhe udhëzuesit evropian (ESG). 

Projekti “HERAS” kontribuon në funksionimin e mirë të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit në Kosovë në bazë të parimeve të Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA) dhe Zonës Evropiane të Kërkimit (ERA) për të mbështetur zhvillimin socio-ekonomik të vendit. Qëllimi i këtij projekti është përmirësimi efektiv dhe i qëndrueshëm i sistemit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Kosovë, rritja e cilësisë së arsimit të lartë dhe punësueshmëria e të diplomuarve, përmirësimi i kapaciteteve njerëzore dhe rritja e ndërkombëtarizimit të kërkimit.

Projekti financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) me fonde të Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim dhe bashkëfinancuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Republikës së Kosovës (MASHT). 

 

 

Home Ngjarjet AKA nënshkruan marrëveshje me projektin HERAS